Site icon Telegrafi

Politika e jashtme e Kosovës, përplasje mes ministres Gërvalla dhe deputetit Xhavit Haliti

Një përplasje në Komisionin për Punë të Jashtme ka ndodhur sot gjatë raportimit të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla me anëtarin e këtij Komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Halitin.

Në këtë diskutim ka ndërhyrë edhe deputetja e LVV-së, anëtare e këtij komisioni, Fitore Pacolli, e cila tha se nëse diskutimi vazhdon do ta lëshojnë mbledhjen.

“Edhe ju si ministre, si person keni të kaluar familjare dhe nuk është që s’ka pas Kosova njeri më të mençur se ty për të bërë ministër… Ti je bo ministre për shkak se keni prejardhje familjare që të gjithë në Kosovë i përulemi. Për këtë ke ardh ti. Por, nëse këta ambasadorë kanë një të kaluar familjare, që nuk e kanë si ti, unë mendoj që nuk duhet me shku me bo ambasador dikush që baba i ka punu qoftë sekretar komiteti në një komunë ose tjetër. E di që për disa këtu është diçka që nuk duhet me thanë, por krejt të këqija i kanë ardh Kosovës prej tyre”, tha Haliti.

Ndërkaq, anëtarja e këtij komisioni nga LVV-ja, Fitore Pacolli tha se nëse ky diskurs diskutimi vazhdon, do të detyrohen ta lëshojnë sallën.

“Kryetar, nëse vazhdon një diskutim i tillë, ne detyrohemi me lëshu sallën dhe me lanë pa kuorum. Kështu që të lutem, e tërheq vërejtjen sepse janë çështje profesionale që ne duhet t’i adresojmë këtu. Është politika e jashtme, është puna e ministres që po raporton e jo çështje personale të juaja”, tha Pacolli.

Tutje, ka reaguar kryetari i Komisioni Haki Abazi, duke thënë se secili ka të drejt t’i shpreh mendimet e veta.

“Veç pak, veç pak. Ne edhe në të kaluarën kemi pasur tentime për ballafaqim, por është e drejta e secilit këtu me shpreh opinionin e vet. Mendoj që demokraci parlamentare. Z.Haliti i ka mendimet e veta. Është deputet i Parlamentit. Mundemi me gjet rastin dhe me ju përgjigj për ato që janë për t’u përgjigjur këtu, edhe në seancë të mbyllur. Është në diskrecionin e një deputeti të ketë shtruar çështje që mund të jenë çështje e brengosjes së tij apo të saj, ose edhe të anëtarësisë. Kështu që kërkojë mirëkuptim për punën e adresimit prej zonjës Pacolli, znj. Time Kadrijaj që e kërkoi fjalën”, ka thënë Abazi.

“Sa i përket partive politike dhe komisioneve parlamentare, asnjëherë nuk ka pasur në MPJ, rekomandime për pozicione drejtuese të shkëputura nga çdo lloj përkatësie familjare apo politike. Nuk është e vërtetë që ministria reagon si komision i VV, dhe nuk është e vërtetë që unë jam anëtare e një partie politike, momentalisht jam anëtare e një iniciative që synon të bëhet parti”, u shpreh Gërvalla.

Ajo tutje shtoi se nuk ka arsye për parulla elektorale sepse kanë shumicën në parlament.

“Frazat politike, elektorale-ç’elektorale, më së voni nga përfundimi i zgjedhjeve komunale nuk pinë më ujë. Nuk kemi zgjedhje, 3 vjet e diçka. Nuk kemi arsye për parulla elektorale sepse e kemi shumicën në parlament me mbi 50%, kemi mbështetje masive nga qytetarët e kësaj republike dhe nuk kemi asnjë arsye t’i lodhim qytetarët me shprehje boshe”, tha Gërvalla.

Këtu ndërhyri anëtari i Komisionit, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili tha se ministrja po bën propagandë elektorale. Sipas Halitit, zgjedhjet e reja do të mbahen në pranverë.

“Po bën propagandë. Tash ti po bën propagandë elektorale. Unë po besoj që ju jeni të sigurt që zgjedhjet jo tre vjet, por zgjedhjet do të jenë në pranverën e këtij viti, pikërisht për shkak të qëndrimeve jopolitike dhe jashtë politikës shtetërore që i keni”, tha Haliti.

“Vetëm mund të zotohem se politika e jashtme matet mirë para se të flas”, tha Gërvalla.

Pas këtij diskutimi, mbledhja e Komisionit u mbyll për medie për të vazhduar diskutimin e çështjeve tjera. /Telegrafi/

Exit mobile version