Telegrafi

Politano zyrtarizon kalimin te Napoli: Mezi pres të dal në fushë me këto ngjyra

Matteo Politano (Foto: Getty Images/Guliver/Instagram)

Matteo Politano e ka falënderuar Interin që ia ka dhënë mundësinë të kalojë te Napoli, ku do ta nisë aventurën e re.

Anësori italian e kompletoi transferimin e tij te Partenopei, në formë huazimi me obligim blerjeje në fund të sezonit.

Nuk është bërë e ditur shuma zyrtare e transferimit, mirëpo mediat raportojnë se Nerazzurrët do të përfitojnë rreth 23-25 milionë euro nga shitja e lojtarit. Gjatë karrierës te zikaltrit, ai ka regjistruar 63 paraqitje dhe i ka shënuar gjashtë gola.

“Jam i gatshëm dhe i gëzuar për aventurën time të re në një qytet të bukur me një bazë të madhe tifozësh. Mezi pres të dal në fushë me këto ngjyra!”.

“Faleminderit Interit për mundësinë që ma kanë dhënë. Vërtet dua t’u them lamtumirë të gjitha tyre që më kanë qëndruar pranë në këtë rrugëtim, bashkëlojtarët, stafin dhe bashkëpunëtorët”, ka shkruar Politano në Instagram. /Telegrafi/