Site icon Telegrafi

Poligloti Lukaku flet aq shumë gjuhë saqë nuk i zë hapësira në tabelën e dokumentit të UEFA-s

(Foto: Instagram/romelulukaku/Twitter)

Sulmuesi i Chelseat, Romelu Lukaku, flet aq shumë gjuhë saqë nuk i zë hapësira në tabelën e dokumentit zyrtar të UEFA-s.

Derisa interesimi i mediave anekënd botës është i madh sidomos për futbollistët që luajnë në Ligën e Kampionëve, trupa evropiane e futbollit ka bërë një listë me lojtarët dhe gjuhët të cilat mund t’i flasin rrjedhshëm për intervista.

Anëtari i mediave, Nick Stoll, e ka publikuar listën e lojtarëve të Chelseat që është mjaft interesante. Futbollistët anglezë në ekipin e Bluve e flasin vetëm gjuhën angleze, ndërsa disa sosh flasin dy apo tri gjuhë.

Mesfushori kroat, Mateo Kovacic, mund të bisedojë në pesë gjuhë të ndryshme, mirëpo ai është shumë prapa Lukakut, i cili mund të jetë futbollisti më poliglot në botë.

Hapësira e tabelës që i përgjigjet emrit të tij duket shumë më ndryshe se e të tjerëve. Sulmuesi belg flet frëngjisht, gjermanisht, anglisht, spanjisht, portugalisht, holandisht, flamandisht dhe italisht.

Forma në dokumentin e UEFA-s nuk e përfshin gjuhën bantu të Lingalas, të cilën Lukaku po ashtu e flet falë origjinës së tij kongoleze.

(Foto: Instagram/romelulukaku)

Pra është një listë totale prej nëntë gjuhësh që i flet sulmuesi. Në vitin 2018, ai i kishte habitur mediat braziliane duke dhënë një intervistë rasti në portugalisht (gjuhë që flitet edhe në Brazil) pas fitores së Belgjikës kundër Selecao në çerekfinale të Kampionatit Botëror.

Ai ka treguar se Jose Bosingwa i kishte ndihmuar ta mësonte portugalishten kur kishte luajtur për herë të parë të Chelsea, ndërsa së fundmi është duke e perfeksionuar gjatë bashkëbisedimeve me Jorginho dhe Thiago Silva.

Kur Lukaku u transferua te Interi, filloi të fliste italisht pas vetëm tre muajsh dhe i kishte habitur të gjithë gjatë një interviste për kanalin zyrtar televiziv të klubit.

28-vjeçari konsideron se aftësia për t’i folur shumë gjuhë i ndihmon brenda dhe jashtë fushës. /Telegrafi/

Exit mobile version