Telegrafi

Policia ukrainase zbulon kampe për torturim në Kharkiv

Policia ukrainase ka njoftuar se ka zbuluar 25 kampe për torturim rreth qytetit lindor të Kharkivit, pas çlirimit të zonës nga pushtimi rus.

“Ushtarët rusë arrestuan dhe torturuan civilë në kampe në kushte çnjerëzore”, shkroi në Facebook shefi i policisë rajonale Volodymyr Timoshko.

“Disa të burgosur iu nënshtruan goditjeve me elektroshokë dhe disave iu thyen gishtat, shtoi Timoshko, transmeton Telegrafi.

Zona përreth Kharkivit ishte e pushtuar nga forcat ruse për muaj të tërë. Ata u tërhoqën në fillim të shtatorit pas kundërofensive ukrainase.

Që nga shtatori, 920 trupa të civilëve janë zbuluar në zonën e çliruar, duke përfshirë 25 fëmijë. Ata u vranë nga ushtarët rusë.

Ushtarët e Vladimir Putinit kanë kryer krime lufte edhe në rajonet e tjera të pushtuara, thuhet në disa dokumente të policisë ukrainase që kanë hetuar këto raste.

Në Bucha që gjendet në periferi të Kievit janë zbuluar mbi 400 trupa të pajetë pas tërheqjes së trupave ruse nga ai rajon. Shumica prej tyre kishin vdekur nga dhuna. /Telegrafi/