Site icon Telegrafi

Policia tregon detajet e grabitjes së armatosur në Pejë

Policia e Kosovës ka konfirmuar grabitjen e armatosur e cila ka ndodhur sot në qytetin e Pejës, ku fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj ka thënë për Telegrafin se rreth orës 17:55, policia ka pranuar një informatë se në afërsi të semaforëve në Pejë në filialin e Western Union ka ndodhur një grabitje e armatosur.

“Menjëherë pas marrjes së informatës njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe me të dalë në vend ngjarje kanë kontaktuar me viktimën e cila ka qenë punonjëse në Westrern Union dhe e njëjta ka përshkruar personin e dyshimtë i cili ka qenë i maskuar dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar të gjitha të hollat. Sipas viktimës mendohet se i dyshuari ka grabitur 4500 euro”, ka thënë Ibraj.

Lexo po ashtu Policia në kërkim të personit i cili vodhi 4500 euro në "Western Union" dhe tentoi të plaçkit edhe "Iute Credit" në Pejë (Foto)

Menjëherë pas një periudhe të shkurtë kohore rreth orës 18:00 është zhvilluar një grabitje tjetër në rrugën “Mbretëresha Teutë” në bankën “Iute Credit”, dhe këtu i dyshimti nuk ka arritur të marrë para.

“I dyshuari ka kërcënuar viktimën se mund të pësojë në rast se lajmëron policinë, dhe sipas përshkimit të personit të dyshuar nga ana e viktimës, mund të jetë personi i njëjti i cili ka kryer grabitje në Western Union”, ka thënë Ibraj.

Ibraj ka shtuar se policia posedon përshkrimin e të dyshimit dhe është në mbledhje të provave për ta identifikuar të njëjtin dhe të gjitha njësit sipas një plani të koduar “Unaza e çeliktë” janë në kërkim të personit të dyshuar.

Deri më tani nuk është identifikuar personi i dyshuar, dhe të gjitha veprimet që janë duke u ndërmarrë janë në koordinim me Prokurorinë. /Telegrafi/

Exit mobile version