Policia e Kosovës ka sqaruar rastin në lidhje me dënimit që i është shqiptuar tifozëve të Përfaqësueses së Kosovës, Dardanëve, të autostradën Prishtinë-Shkup.
Dardanët u ankuan në lidhje me sjelljen dhe një gjobë të shqiptuar nga Policia e Kosovës në autostradën Prishtinë-Shkup, gjatë rrugës së tyre për në Bullgari.
Megjithatë, Policia e Kosovës ka sqaruar rastin duke e cilësuar veprimin e tyre si të kundërligjshëm me rregullat e trafikut dhe gjoba ka qenë e pashmangshme.
Këtë lajm e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.
“Policia e Kosovës në funksion të garantimit të një sigurie më të madhe në trafik ka paraparë që të realizojë kontrolle aktive edhe në këtë pjesë të autostradës”, ka thënë fillimisht Hoxha për Telegrafin.
“Policia ka hasur në disa automjete, respektivisht autobus në të cilën pasagjerët kanë dalë nga autobusi dhe kanë lëvizur nëpër autostradë dhe rreth saj, të cilët me veprimet e tyre kanë rrezikuar sigurinë në trafik pastaj masat respektive janë ndërmarrë nga Policia me procedura ligjore”.
“Të gjitha veprimet që rrezikojnë sigurinë në trafik nuk do të tolerohen, qofshin në rrugë lokale, rajonale apo autostradë”, përcjell Telegrafi.
“Apelojmë tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që t’i respektojnë rregullat që dalin mbi ligjin mbi trafikun që të respektohen shenjat në rrugë, pasi në periudhën janar-maj kanë humbur jetën 35 persona”.
“Të gjitha njësitë tona janë aktive në autostradë dhe do të ndërmarrin veprime ligjore për shkelësit në trafik”, përfundoi Hoxha. /Telegrafi/