Një megaoperacion ndërkombëtar antidrogë me urdhër të SPAK është duke u zhvilluar nga policia shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanza italiane dhe DEA-n amerikane.
Mësohet se gjatë operacionit është goditur një grup kriminal me bazë në Fushë-Kuqe, të Kurbinit.
Gjatë operacionit janë shoqëruar disa persona të cilët shkëmbenin kanabis me heroinë dhe kokainë.
Në momentin që forcat e policisë janë afruar trafikantët i kanë vënë flakën një paketimi.
Ndërsa në pranga janë vënë 6 persona, shqiptarë dhe të huaj, bën me dije ABC News.
Mësohet se kontrollet janë kryer në det në Vlorë, ku janë bllokuar 4 gomone, njëra prej tyre me 3 motorë, si dhe janë shoqëruar 10 persona.
Siç njoftohet, gomonet me të cilët trafikantët do të bënin shkëmbimin e drogës në det, janë nisur rreth orës 19:00 të pasdites nga Patoku.
Veliera është me flamur ukrainas, nisur nga Mali i Zi. Droga do shkëmbehej në Adriatik, 18 milje nga laguna Patokut.
Hetimi po drejtohet nga prokurori i SPAK, Vladimir Mara, teksa në hetim mësohet se është edhe një zyrtar i lartë i policisë.
Nga 6 të arrestuarit, 4 janë shqiptarë dhe 2 ukrainas. Forcat RENEA kanë zbarkuar në disa banesa në Laç për kontrolle.
Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi droge dhe një shumë parash.