Site icon Telegrafi

Policia serbe ia anulon holandezit van Gerven Oei të gjitha vulat hyrëse të Kosovës

Një qytetar holandez njofton se policia kufitare serbe ia ka anuluar të gjitha vulat hyrëse të Kosovës.

Vincent W .J. van Gerven Oei me anë të një shkrimi në Twitter thotë se kjo patrullë e policisë i ka vendosur vulën “Anulim”, në të gjithë vulat e Kosovës.

“Patrulla kufitare serbe është patetike e fëmijërore, duke i vulosur të gjitha vulat kosovare të hyrjes me ‘ANULIM'”, shkruan van Gerven Oei, përcjell Telegrafi.

Pas këtij veprimi ka reaguar edhe afaristi holandez që vepron në Kosovë, Stefan van Dijk.

“Qytetari holandez për policinë kufitare serbe”, shkruan ai në Twitter.

Duke filluar nga dita e hënë, Qeveria e Kosovës ka marr vendim që të nis zbatimin e Marrëveshjes së reciprocitetit për targat e automjeteve me Serbinë të nënshkruar në Bruksel.

Deri më tani, veturat e Kosovës që kanë kaluar nëpër Serbi, është dashur t’i heqin targat e tyre “RKS” (Republika e Kosovës) dhe të vendosin targa të përkohshme prej letre.

Çështja e targave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, të arritur në korrik të vitit 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat “KS” (Kosovë) ose “RKS” (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. /Telegrafi/

Exit mobile version