Telegrafi

Policia publikon pamjet e konfiskimit të 272 pajisjeve për prodhimin e Bitcoin në veri

Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës kanë konfiskuar sot 272 pajisje në veri të Mitrovicës që shërbejnë për prodhimin e Bitcoin.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se, operacioni i cili ka filluar në orët e hershme të mëngjesit, janë angazhuar njësite të profileve të ndryshme policore, të cilat kanë qenë në mbështetje dhe përkrahje të Doganës së Kosovës në realizimin e kontrollit në veri të vendit, konkretisht në fshatin Trebice të komunës Leposaviq, ku janë konfiskuar 272 pajisje të ndryshme ANTMINER që shërbejnë për prodhimin e Bitcoin.

Mjetet e konfiskuara janë:

Antminer S9i 14.0T-128 copë,
Antminer S9 13.5T-117 copë,
Antminer S9 13.0T- 5 copë,
Antminer S9i 14.5T- 19 copë,
Antminer S9 10.5T- 3 copë,

Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente në realizim të kontrollit ndaj veprimtarive ilegale, përderisa mjetet e dyshuara janë konfiskuar në cilësi të provave materiale.

Më tej, në njoftim thuhet se, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive të ndryshme ilegale. /Telegrafi/