Policia është duke hetuar rastin e vdekjes së një 56 vjeçari nga rrethina e Lipjanit, nën dyshimet se nuk i është ofruar shërbimet mjekësore në urgjencën e QKMF-së në Lipjan.
Vdekjen e 56 vjeçarit e ka konfirmuar për Telegrafin, Flora Ahmeti – zëdhënëse e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës.
“Sot kemi pranuar informatën, për një rast të vdekjes së dyshimtë të ndodhur në QKUK në Prishtinë. Bëhet fjalë për personin M.G, mashkull, 56 vjeç nga rrethina e Lipjanit”, ka thënë Ahmeti.
Ajo ka thënë se me të marrë informatën policia ka filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit.
“Megjithë dyshimet e ngritura, policia me kujdes të shtuar po heton rastin dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore në koordinim me prokurorin e shtetit që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes, përderisa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore për obduksion”, ka thënë Ahmeti.
Ndryshe në media është raportuar se viktima me dhimbje në gjoks kishte kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF në Lipjan, por aty nuk kishte marrë tretmanin e duhur, pasi mjeku nuk i kishte kryer ekzaminimin EKG.
Pas raportimit të rastit në media, drejtori komunal i Shëndetësisë në Lipjan, ka suspenduar ng puna mjekun e përgjithshëm Faruk Gashi, pasi i njëjti duke neglizhuar punën e ka kthyer prapa një pacient dhe nuk ia ka bërë ekzaminimin EKG duke e gënjyer se aparati është jashtë funksionit.
“Pas konstatimit nga drejtori QKMF-së dhe Shefi i Urgjencës në Lipjan se ekziston aparatura e nevojshme dhe EKG është në funksion si në QKMF ashtu edhe në Urgjencë, është suspenduar mjeku Faruk Gashi, mjekë i përgjithshëm, për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë kur ai deklaron rrejshëm se EKG është jashtë funksionit”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Sipas njoftimit nga Komuna, ky rast do të vazhdojë në procedura të rregullta ligjore./Telegrafi/