Policia e Kosovës ka nisur hetimet për rastin e veturës së një imami në Pejë, së cilës në orët e para të mëngjesit i është vënë flaka nga një person i maskuar.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, për Telegrafin ka thënë se rasti është cilësuar si “Zjarrvënie”.
Tutje, ai ka bërë të ditur se për rastin që ka ndodhur në rrugën “Rozafa”, janë njoftuar rreth orës 03:45.
“Me datë 08.03.2023, rreth orës 03:45, Policia është informuar se në rrugën ‘Rozafa’ në Pejë, një veturë është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë ne vendngjarje, gjithashtu edhe njësiti i zjarrfikësve të cilët kanë arritur ta shuajnë zjarrin”.
Rasti është duke u hetuar nga Policia, dhe është cilësuar si ‘Zjarrvënie’”, ka thënë Rugova.
Ndryshe, imami Eroll Rexhepi ka shkruar të mërkurën në Facebook se “një person gjysmë i maskuar ia ka vënë flakën me lëndë djegëse makinës sime duke e djegur në tërësi dhe duke shkaktuar dëme të tjera…”. /Telegrafi/