Policia e Kosovës ka njoftuar se tre personat që u plagosën të premten mbrëma në lagjen “Lakrishtë” në Prishtinë, janë të mitur.
Sipas njoftimit, të njëjtit janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi janë qëlluar me armë zjarri nga dy të dyshuar që gjenden në arrati.
Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”.
“Rr. Bill Klinton, Prishtinë, 20.10.2023-18:44. Tre viktima meshkuj kosovarë-të mitur, janë duke u trajtuar në QKUK, pasi që të njëjtit janë qëlluar me armë zjarri nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë”, thuhet në raportin policor.
Në vendin e ngjarjes bëhet e ditur se janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale tri gëzhoja të armës, ndërsa në lidhje me rastin janë intervistuar pesë dëshmitarë.
“Dy të dyshuarit gjenden në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhet tutje. /Telegrafi/