Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra, në brezin kufitar me Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit, njësiti Task Forcë – Lindje, me datën 13.12.2023 ka identifikuar një automjet të dyshuar me targa vendore, i cili dyshohet se përmes rrugëve malore nga Maqedonia ishte duke sjellë mallra të kontrabanduara në drejtim të Gjilanit.
Tutje thuhet se automjeti i dyshuar është përcjellë nga njësitë e lartcekura deri tek automjeti i dytë i përfshirë në rast, i cili po priste ta pranonte mallin e lartcekur.
“Gjatë kontrollit të realizuar në automjet është gjetur tekstil në disa thasë, kryesisht veshmbathje të ndryshme, në sasi prej gjithsej 617 copë, ku vlera e përgjithshme e mallit sipas tregut kap shifrat rreth 7000 euro (shtatë mijë euro)”, bëhet e ditur në komunikatën për media.
Lidhur me rastin, sipas policisë të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, me vendim të së cilës malli së bashku me automjetin dërgohen në terminalin doganor ‘Dheu i Bardhë’.
Ndërsa, tre personat e dyshuar të përfshirë në rast janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/