Telegrafi

Tentoi të kontrabandojë 800 kg duhan të papërpunuar, Policia po heton rastin

Njësia policore e Task Forcës, gjatë patrullimit ka arritur të ndaloj një furgon i cili dyshohej se transportonte mall të kontrabanduar (duhan të papërpunuar).

Sipas njoftimi të policisë, furgoni i kishte shfrytëzuar rrugët malore nga fshati Tanushë-Maqedoni e Veriut dhe duke kaluar përmes fshatit Mjak, ishte nisur në drejtim të Vitisë.

“Njësia policore e Task Forcës, Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje,  gjatë patrullimit, vëzhgimit dhe pritave të befasishme, ka arritur ta vërejë, ta përcjellë dhe ta ndalojë një kombi (furgon), i cili duke shfrytëzuar rrugët malore nga fshati Tanushë-Maqedoni e Veriut, duke kaluar përmes fshatit Mjak, ishte nisur në drejtim të Vitisë. Kështu, sot më datë 03.06.2022, rreth orës 10:00 edhe përkundër tentativës për të t’iu shmangur patrullës policore, automjeti është ndaluar në fshatin Ramjan të Vitisë”, thuhet në njoftim.

Tutje sqarohet se gjatë kontrollit të automjetit transportues është hasur në rreth 800 kg (36 paketime) duhan të papërpunuar.

“Automjeti i ndaluar, me targa vendore dhe i drejtuar nga: S.I., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar) ishte duke bërë transport të mallit që dyshohet të jetë i kontrabanduar. Gjatë kontrollit të automjetit transportues është hasur në rreth 800 kg. (36 paketime) duhan të papërpunuar. Rasti është duke u trajtuar nga zyrtarë policorë dhe në koordinim me prokurorin kujdestar. Automjeti me mallin e ngarkuar do të dorëzohet në terminalin doganor tek Dogana e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/