Site icon Telegrafi

Policia njofton për arrestimin e Molliqajt dhe tre aktivistëve të PSD-së

Policia e Kosovës ka njoftuar se bazuar në urdhërarrestin e lëshuar nga organet e drejtësisë, sot në orët e pasdites në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, ka arrestuar Dardan Molliqajn, i cili ishte në kërkim.

Në njoftimin e Policisë thuhet se njësitet policore, po ashtu kanë arrestuar edhe tre persona (F.K, Z.H, G.K,) të cilët kanë penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, të cilët kanë tentuar t’u pamundësojnë zyrtarëve policorë zbatimin e urdhër arrestit.

“Të gjitha veprimet e zyrtarëve policorë janë realizuar konform autorizimeve ligjore, përderisa veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Arrestohet Dardan Molliqaj

Ndërsa, PSD ka njoftuar se përveç Molliqajt, janë arrestuar katër aktivistë, Frashër Krasniqi, Zgjim Hyseni, Gëzon Kastrati dhe Korab Korça.

Molliqaj është arrestuar në bazë të një urdhërarresti të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi i njëjti nuk ishte paraqitur në seancën gjyqësore të mërkurën (15 qershor 2022), për çfarë ka dështuar sërish të nis gjykimi në rastin ku bashkë me Fatos Sahitin ngarkohen për përleshjen fizike mes tyre dhe deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi, pas një debati televiziv më 2019, transmeton Telegrafi. /Telegrafi/

Exit mobile version