Site icon Telegrafi

Policia kishte raportuar se 18 vjeçari nga Podujeva ishte therur me thikë, IPK nis hetimet

18 vjeçari nga Podujeva, Lulzim Fejzullahu ka ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e lëndimeve të rënda që kishte pësuar nga goditja me veturë dhe pastaj me shufra metalike nga dy të mitur.

Nga Klinika e Intensives kanë treguar se ai kishte lëndime të rënda e gjakderdhje në kokë, por s’kishin parë plagë therëse.

Policia e Kosovës e kishte cilësuar fillimisht rastin si therje me thikë, por pas publikimit të pamjeve nga ky rast u dëshmua e kundërta.

Lidhur me këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur hetimet.

Kështu ka thënë për Telegrafin, zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin përveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast”, ka thënë Beka.

Ai ka shtuar se veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së.

Lexo po ashtu Vdekja e 18-vjeçarit, avokati Hoxha: Të miturit mund të dënohen vetëm 10 vjet burgim, ligji duhet të ndryshohet

Lulzim Fejzullahu vdiq të shtunën në QKUK, pasi me gjithë trajtimin mjekësor nuk mundi t’u mbijetojë lëndimeve të rënda që i mori më 14 janar nga dy të mitur.

Policia në raportin 24-orësh dërguar mediave një ditë më pas, e kishte cilësuar si vrasje në tentativë, duke e përshkruar si therje me thikë.

“Podujevë 14.01.2024-13:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhej në raport.

Prokuroria Themelore e Prishtinës e përshkroi ndryshe rastin nga si ishte përshkruar nga policia.

“Pas një përleshje fizike që kishte ndodhur në rrugën “Drenica” në Podujevë më 14.01.2024, dy të dyshuarit (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale ‘Vrasje në tentativë’ (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, thuhej në komunikatën për media nga Prokuroria. /Telegrafi/

Exit mobile version