Telegrafi

Policia jep detajet, se si ndodhi aksidenti në Ozdrim të Pejës, ku humbi jetën vajza 7-vjeçare

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me aksidentin e sotëm në rrugën Istog-Pejë, në fshatin Ozdrim, ku humbi jetën një vajzë 7-vjeçare dhe dy persona të tjerë morën lëndime të rënda.

Në njoftimin e Policisë thuhet se “më datën 07.01.2020.rreth orës 13.47 në rrugën Istog-Pejë, në fsh. Ozdrim ka ndodhur aksident trafiku me fatalitet, ku ishte e përfshirë vetura ‘SEAT’ me ngjyrë të zezë me targa të regjistrimit vendor, drejtuar nga i dyshimti L.D. (1992) m/k/e, dhe vetura tjetër ‘VW Golf’ me ngjyrë të kaltër me targa të regjistrimit të Kosovës, drejtuar nga i dyshuari dytë B.G.(1948) m/k/sh”.

Sipas Policisë, “deri të aksidenti ka ardhur kur ngasësi i automjetit ‘Seat’ ishte duke qarkulluar nga drejtimi i Istogut në drejtim të Pejës dhe me të arritur në fshatin Ozdrim, duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës dhe shpejtësisë, me pjesën e parë ballore e godet automjetin ‘VW Golf’ në pjesën e parë të anës së djathtë i cili ishte duke qarkulluar në rrugën Pejë-Istog”, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Aksident i rëndë në Ozdrim të Pejës, humb jetën 7-vjeçarja

“Me ketë rast pos dëmeve të mëdha materiale shkaktohen edhe lëndime trupore të rënda dhe të gjithë të lënduarit dërgohen në Spitalin Rajonal Pejë.  Si pasojë e lëndimeve viktima femër pasagjere lindur vitin 2012 humbë jetën, vdekjen e kanë konstatuar mjekët e emergjencës spitalore”.

Për shkak të lëndimeve të rënda dy persona ndalohen për shërim të mëtutjeshëm në spital, ndërsa i dyshimti pas marrjes së ndihmës së parë lirohet nga spitali, por me urdhër të Prokurorit për krime të përgjithshme ndalohet për të vazhduar me procedura të mëtejme. Trupi i pa jetë i viktimës lirohet familjarëve për ceremoninë e varrimit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/