Telegrafi

Policia jep detaje rreth plagosjes së këshilltarit të Fatmir Limajt, arrestohet i dyshuari

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, ka dhënë detaje tjera rreth plagosjes së Luan Malokut, këshilltarit të Fatmir Limajt, mbrëmë në Veternik.

Rasti ka ndodhu dje rreth orës 17:00 në rrugën “Richard Holbrooke”.

Policia në raport ka bërë të ditur se ka arrestuar të dyshuarin dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka plagosur me armë zjarri viktimën mashkull K/Shqiptar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes është gjetur një predhë. Viktima është duke marrë tretman mjekësor në QKUK dhe sipas stafit mjekësor gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë.

Lexo po ashtu Plagoset një person në Prishtinë

Me autorizim të gjyqtarit të procedurës paraprake është kryer kontrolli-bastisja e shtëpisë së të dyshuarit, ku është gjetur arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra, një karikator, një gëzhojë e kalibrit 7.65 mm e bllokuar në tytën e armës, 15 (pesëmbëdhjetë) copë fishekë të kalibrit 7.65 mm, të cilat janë konfiskuar.

Me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit dhe i njëjti dërgohet në qendrën e mbajtjes”, thuhet në raport. /Telegrafi/