Policia e Kosovës e ka konfirmuar se gjatë ditës së sotme është gjetur një trup i pajetë, në afërsi të liqenit të Badovcit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi ka sqaruar se policia sapo ka dalur në vendin e ngjarjes ka kontaktuar edhe me familjarët dhe është ftuar prokurori i shtetit.
“Sot, më 15.01.2021, pak pas orës 14:00, policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën që shpie nga Mati për te liqenin e Badovcit, ku një person dyshohet se është pa shenja jete. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar familjarët e personit, si dhe ka ftuar prokurorin e shtetit dhe ekipet e mjekësisë urgjente”, tha Krasniqi për Telegrafin.
Siç njoftoi Krasniqi, mjekët në vendin e ngjarjes kanë konstatuar se trupi i viktimës është i pajetë.
“Ne vendngjarje mjekët kanë konstatuar se trupi i viktimës është i pajetë. Viktima është: F.S, mashkull”, tha Krasniqi.
Emri i Syleviqit, është përmendur edhe nga i dënuari për vrasje, Shkumbin Mehmeti, i cili më parë kishte rrëfyer për vrasjet e pasluftës në Kosovë.
Mehmeti akuzoi Syleviqin se ka urdhëruar disa vrasje gjatë kohës kur grupi i tyre kriminal ishte duke funksionuar.
“Polici Fadil Syleviqi është i përshirë në shumë vrasje”, kishte thënë shkurt Mehmeti, duke mos treguar specifikisht në cilat.
Po ashtu kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, sa ishte Ambasador në Shqipëri, kishte akuzuar Fadil Syleviqin se në prillin e vitit 1998 e ka vrarë atdhetarin Hafir Shala.
Po ashtu, Lladrovci ka thënë se rasti Hafir Shala nuk u hetua asnjëherë deri më tani, për t’u zbardhur e vërteta e kidnapimit dhe mbytjes me dhunë nga hetuesit e pushtetit të Sllobodan Millosheviq.
Në lidhje me rastin në vendin e ngjarjes janë ekipe të hetuesisë dhe krim-teknikës edhe në këto momente janë duke shikuar vendin e ngjarjes. /Telegrafi/