Të entjen është intervistuar ministri në detyrë Endrit Shala nga hetuesit e Drejtorisë për Hetime e Krimeve të Rënda të PK-së, për sulmin ndaj gazetarit, Ensar Ramadani.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
“Sot, më 19.12.20109 me autorizim të prokurorit, nga hetuesit e Drejtorisë për Hetime e Krimeve të Rënda të PK-së, është intervistuar një i dyshuar në lidhje me rastin ‘Sulm’ të ndodhur, më 17.12.2019 “, thuhet në përgjigjen e PK-së.
Sipas Policisë së Kosovës, gazetari në fjalë është intervistuar ditën e incidentit.
“Viktima është intervistuar ditën e incidentit. Hetuesit policorë në koordinim me organet e prokurorisë, janë duke ndërmarrë të gjitha aktivitetet në kompletim të rastit në fjalë”, thuhet në përgjigjet e PK-së.
Ndërkaq, dje Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hapur hetimet për rastin në fjalë.
Inspektorati Policor ka kërkuar suspendimin e dy policëve pas që ka pranuar ankesën e qytetarit (gazetarit) për incidentin që është raportuar të ketë ndodhur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) .
Endrit Shala, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, kishte sulmuar fizikisht të martën në mbrëmje gazetarin, Ensar Ramadani.