Telegrafi

Policia hap hetimet mbi pretendimet e Mo Farah për trafikim

Policia Metropolitane ka konfirmuar se ka nisur një hetim mbi pretendimin e Sir Mo Farah se ai ishte trafikuar ilegalisht si fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar.

Farah kishte pohuar më parë se kishte bërë udhëtimin për në Mbretërinë e Bashkuar nga Somalia me prindërit e tij si refugjat, por tani ai ka zbuluar se ishte larguar nga familja e tij në një moshë të re dhe kishte fluturuar në vend nga Xhibuti.

Në një dokumentar të prodhuar nga BBC dhe Red Bull Studios, fituesi i katër medaljeve të arta olimpike foli për fëmijërinë e tij tragjike, e cila e pa atë të detyruar të punonte si shërbëtor shtëpie.

Vrapuesi legjendar i tha BBC-së se emri i tij i vërtetë është Hussein Abdi Kahin dhe se emri Mohamed Farah iu dha nga ata që e transportuan në vend ilegalisht.

Lexo po ashtu Një rrëfim që ka tronditur Britaninë e Madhe: Mo Farah zbulon se si ai ishte trafikuar ilegalisht në moshën nëntë vjeçe dhe ka emër tjetër

Policia Metropolitane tani ka thënë se do të shqyrtojë historinë, duke dhënë një deklaratë zyrtare mbi trafikimin e atletit.

“Ne jemi në dijeni të raporteve në media në lidhje me Sir Mo Farah. Asnjë raport nuk është bërë në MPS (Shërbimi i Policisë Metropolitane) në këtë moment”.

“Oficerët specialistë kanë hapur një hetim dhe aktualisht janë duke vlerësuar informacionin në dispozicion”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, Home Office konfirmoi më parë se nuk do të merrte masa kundër Farah pasi ai zbuloi informacionin. /Telegrafi/