Policia e Kosovës, në rajonin e Prizrenit, ka njoftuar se pas lëshimit të kërkesës për bashkëpunim me qytetarët për arrestimin e një personi për rastin “Lëndim trupor” që kishte ndodhur më 04 dhjetor 2021, i njëjti është vetëdorëzuar dje në stacionin policor.
“Falë kësaj kërkese mbrëmë, më 15 shkurt 2022, i dyshuari V. S., i moshës 30 vjeçe m/sh/k, është paraqitur vullnetarisht në stacionit Policor ‘Jugu’ në Prishtinë. I dyshuari është shoqëruar ne Stacionin Policor në Prizren ku është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, i njëjti pranon veprën penale.
Për rastin është informuar prokurori i lëndës, i cili ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës kërkon në vazhdimësi nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacione për çfarëdo veprimesh të kundërligjshme, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor. /Telegrafi/