Site icon Telegrafi

Policia e Kosovës vendos kamera sigurie në afërsi të Urës së Ibrit

Foto: Arkiv

Policia e Kosovës është duke bërë vendosjen e dhjetë kamerave në afërsi të Urës së Ibrit për të menaxhuar pjesën veriore të Mitrovicës me qëllim parandalimin e veprave penale dhe zbulimin e tyre në rast se ndodhin.

Kështu njoftoi Veton Elshani, zëvendëskomandanti i Policisë në veri.

“Policia e Kosovës është institucioni i vetëm që e bën kontrollimin me video të vendeve publike. Policia e Kosovës në mandatin e saj e ka prioritet ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, parandalimin e veprave penale dhe zbulimin e tyre në rast se ndodhin, këto bëhen duke i vëzhguar vendet publike me kamera. Në suaza të kësaj, kemi bërë vendosjen e disa kamerave në pjesën veriore në afërsi të Urës së Ibrit që e menaxhon pjesën veriore dhe një gjë e tillë do të vazhdojë në të ardhmen”, deklaroi Elshani.

Ai shtoi se vendosja e kamerave është bërë edhe te “Tre Rrokaqiejtë”.

Në total, Elshani u shpreh se është duke u bërë vendosja e 10 kamerave të reja.

Policia e Kosovës kishte larguar kamerat ilegale nga veriu, e atje tashmë po vendosen kamerat legale që vëzhgohen nga ana e institucioneve përkatëse të Kosovës.

Jo më shumë se 1 muaj më parë, më 27.06.2024 Policia e Kosovës kishte gjetur dy kamera të vendosura në lokacione në veri të vendit, të cilat dyshohet se janë përdorur në vazhdimësi nga institucionet e sigurisë së Serbisë.

Elshani kishte thënë se Policia në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në kanë identifikuar dy lokacione në të cilat kanë qenë të vendosura kamerat vëzhguese të kamufluara.

Kamerat, sipas zëvendësdrejtorit Elshani, dyshohet se janë përdorur për monitorim të lëvizjeve të qytetarëve, institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në veri të vendit.

Exit mobile version