Telegrafi

Policia e Kosovës sqaron kompetencat e Njësisë Speciale Interevenuese

Policia e Kosovës ka dalë me një sqarim pas publikimit të lajmit në disa media ku thuhej se Qeveria e Kosovës i ka heq disa nga kompetencat e Njësisë Speciale Intervenuese të PK-së.

Në sqarim thuhet se “Policia e Kosovës (PK), me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar duke iu referuar disa shkrimeve të publikuara në media/portale të ndryshme, ku thuhet se kinse Qeveria e RKS-së, i heq disa nga kompetencat e Njësisë Speciale Intervenuese të PK-së,  informon dhe sqaron se, të gjitha autorizimet  policore janë të përcaktuara me ligj dhe akte tjera normative të cilat në vija të përgjithshme përshkruajnë organizimin dhe strukturimin e brendshëm policorë, përderisa detyrat specifike të punonjësve sipas pozitave, përshirë Drejtorinë e Njësisë Speciale Intervenuese, janë të rregulluara me përshkrim të detyrave dhe përgjegjësive të vendit të punës, autorizime dhe detyra këto të cilat  kanë qenë dhe mbesin të pa ndryshuara”.

“Për më shumë, bazuar në strukturën organizative të Policisë së Kosovës e ndryshuar dhe miratuar vitin e kaluar, njësive të specializuara i është kushtuar rëndësi e veçantë, duke i ngritur nga siç ka qenë Divizion i Njësive të Specializuara, tani në Departament të Njësive të Specializuara, përfshirë këtu edhe avancimin e NJSI-së nga Njësi në nivel të Drejtorisë”, thuhet në sqarim, transmeton Telegrafi.

Më tej thuhet se “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të zhvillimit, avancimi dhe ngritjes profesionale të të gjitha njësive policore, me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe vendit”.

Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës (NJSI) dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME), në nëntor të vitit 2023 protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit të pagesës për rrezikshmërinë në punë.

Po ashtu, më 9 dhjetor 2023, pjesëtarët e NjSI-së së bashku me pjesëtarët e Sindikatës së Policisë sërish protestuan para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Ata kanë protestuar për shkak të pagave, shtesave të rrezikshmërisë, sigurimeve shëndetësore dhe kërkesave të tjera./Telegrafi/