Telegrafi

Policia e Kosovës: Protestat në veri të Mitrovicës u zhvilluan të qeta dhe pa incidente

Policia e Kosovës ka njoftuar se protestat e mbajtura sot në dy lokacione në veri të Mitrovicës kanë përfunduar të qeta dhe pa incidente.

Sipas njoftimit të policisë thuhet se protestat ishin të paparalajmëruara, por pavarësisht kësaj policia kishte marrë masat e nevojshme për të siguruar rendin dhe qetësinë publike.

“Sipas ligjit mbi tubimet publike, Policia e Kosovës respekton të drejtën e qytetarëve për të shprehur mendimin e tyre përmes tubimeve dhe protestave paqësore. Përmes një angazhimi të vazhdueshëm, Policia u përkujdes për sigurinë e qytetarëve dhe për mbarëvajtjen e protestave”, thuhet në njoftim.

Protestat, të cilat filluan në orët e hershme të mëngjesit, përfunduan rreth orës 08:45 pa ndonjë incident.

Pas shpërndarjes së protestuesve, njësitet policore vazhduan me detyrat e tyre të rregullta. /Telegrafi/