Reperi i njohur shqiptar, Don Xhon, emri i vërtetë i të cilit është Xhonatan Isufi, është ndaluar të martën nga Policia e Kosovës në Prishtinë.
Reperi ndodhej në veturën e mikut të tij, kur u ndalua për kontroll në rrugën “Tirana” në kryeqytet.
Lidhur me rastin, Telegrafi ka kontaktuar zyrën për informim në Policinë e Kosovës, të cilën kanë dhënë detaje në lidhje me rastin.
“Policia e Rajonit të Prishtinës, respektivisht zyrtarët e Njësitit të reagimit të shpejtë, sot rreth orës 14:30, në rrugën “Tirana” në Prishtinë, për kontroll rutinore, kanë ndaluar një veturë të tipit ‘Range Rover’. Pas një kontrolli të detajuar që i është bërë (dy) personave dhe veturës, policia ka arritur që të gjejë dhe të sekuestrojë: një armë të shkurtë, një karikatorë si dhe gjashtë fishekë”, kanë thënë për Telegrafin nga zyra për informim.
Tutje, nga zyra për informim tregojnë se ndaj mikut të reperit Festim Strumçaku është iniciuar rast për mbajtje të paautorizuar në armës.
“F.S, mashkull 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, është dërguar për intervistim,në stacionin policor qendra në Prishtinë. Ndaj tij është iniciuar rasti për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës dhe i njëjti më pas me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në deklaratën e policisë.
Përndryshe, menjëherë pas intervistimit, Don Xhon ka publikuar një fotografi me mikun e tij në InstaStory, duke e pyetur me shaka se çfarë e pyetën policët gjatë kontrollit. /Telegrafi/