Site icon Telegrafi

Policia e Kosovës gjen kamera në rrugët malore në kufirin Kosovë-Serbi

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka iniciuar një rast të “fotografimit dhe incizimit të paautorizuar”, pasi në rrugën malore nga fshati Ranillug (RKS), në drejtim të fshatit Konçul (Serbi) kanë gjetur dy kamera me solar, të cilat ishin vendosur për të vëzhguar rrugët.

Në njoftimin e policisë thuhet se dyshohet që kamerat janë vendosur nga persona të dyshuar që merren me kontrabandë të mallrave.

“Njësia e TASK FORC-së-Lindje (e përbërë nga Policia dhe Dogana e Kosovës), pas pranimit të informatave nga Njësia e Inteligjencës e Policisë Kufitare Lindje, për dyshime të vendosjeve të paautorizuara të kamerave në brezin kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, më 06.05.2024, në rrugën malore nga fshati Ranillug (RKS), në drejtim të fshatit Konçul (Serbi), kanë gjetur dy kamera me solar, të cilat ishin vendosur për të vëzhguar rrugët”, bëhet e ditur në njoftim.

Policia njofton se në vendin e lartcekur, është ndaluar edhe automjeti me targa serbe me drejtues J. S., 30 vjeçar, me dy shtetësi (të Serbisë dhe Republikës së Kosovës).

I njëjti dyshohet se aty ka shkuar për t’u kujdesur për kamerën që veç e kishin marrë më herët njësitet policore.

I dyshuari, recidivist i veprës “Kontrabanda me mallra”, është shoqëruar në polici, ndërsa nga verifikimi i automjetit është vërtetuar se i njëjti nuk ka asnjë hyrje-dalje përmes Pikave të Kalimit Kufitar, andaj dyshohet se i njëjti, këtë automjet e kishte përdorur vetëm për kontrabandë të mallrave përmes rrugëve ilegale.

Policia njofton tutje se lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, me urdhër të prokurorit, ndërkaq, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa automjeti sekuestrohet dhe dërgohet në terminalin doganor-Dheu i Bardhë. /Telegrafi/

Exit mobile version