Telegrafi

Policia dhe prokuroria kroate nisin hetimet lidhur me aksidentin tragjik në Sllavonski Brod

Në një autostradë në Sllavonski Brod të Kroacisë, dje ndodhi një aksident trafiku i një autobusi me pasagjerë nga Kosova, ku si pasojë humbën jetën 10 persona dhe dhjetëra tjerë u lënduan.

Autobusi me targa të Kosovës, brenda të cilit ishin 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga rruga – ku si pasojë humbën jetën nëntë pasagjerë dhe një shofer, transmeton Telegrafi.

Mbi 40 tjerë janë lënduar, e disa prej tyre janë në gjendje të rëndë. Në anën tjetër, policia dhe prokuroria kanë filluar hetimet dhe rrethanat e aksidentit.

Shoferi i autobusit ka pranuar gjatë intervistimit në policinë kroate, se e kishte zënë gjumi, ndërsa më vonë u raportua se ai është arrestuar.

Siç raportojnë mediat kroate, disa prej pasagjerëve që kanë pësuar lëndime më të lehta, do të duhej që sot të liroheshin nga spitali i Brodit.

“Sot planifikojmë të lirojmë disa prej pasagjerëve që kanë pësuar lëndime të lehta trupore”, ka thënë mjeku kroat Josip Samargjiq. /Telegrafi/