Site icon Telegrafi

Policia jep detaje rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit, shton masat e sigurisë në veri

Lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq, të ndodhur dje rreth orës 08:10 min në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës ka vazhduar me aktivitete intensive operacionale dhe hetimore për zbardhjen e kësaj vepre penale, ndërkaq ka ndërmarrë edhe masa në aspekt të shtimit të sigurisë, përfshirë shtimin e prezencës policore në disa lokacione të identifikuara si të ndjeshme, me qëllim të parandalimit të çfarëdo incidenti.

Policia thekson se sipas informacioneve të deritanishme viktima është qëlluar para selisë së partisë në kohën kur viktima po paraqitej/hynte në vendin e punës nga rrugëtimi prej banesës së tij i pashoqëruar nga askush (i vetëm).

“Në bazë të dëshmive të mbledhura deri më tani dyshohet se ai është qëlluar me armë zjarri të kalibrit 9X19 mm, nga persona të panjohur deri në këtë moment, ku arma që është përdorur në rast dyshohet të ketë qenë me shurdhues (zhurmëmbytës)”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Policia posedon xhirimet nga disa lokacione pas vrasjes së Ivanoviqit

Në vazhdën e hetimeve të deritashme Policia e Kosovës ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka procesuar shikimin e vendit të ngjarjes, ku janë mbledhur dëshmitë relevante për këtë rast. Tani jemi në proces të ekzaminimit kriminalistik të të gjitha dëshmive.

Në veçanti janë duke u nxjerrë, analizuar dhe vlerësuar video-incizimet e marra nga kamerat e sigurisë, të cilat janë marrë në vendin e ngjarjes apo që ndërlidhen me vendin e ngjarjes, si dhe dëshmitë tjera materiale.

Ekipi hetimor i përbërë nga zyrtarë të specializuar për këto raste, përfshirë zyrtarët e Hetimit të Krimeve të Rënda, ekipet e Forenzikës Qendrore, IT Forenzikës, zyrtarë të Inteligjencës, Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, janë angazhuar maksimalisht në procesimin e të gjitha të dhënave që ndërlidhen me këtë rast.

Deri në këtë fazë janë intervistuar disa dëshmitarë si dhe janë pranuar disa informacione përmes kanaleve të sigurta të komunikimit, të vendosura për këtë qëllim nga Policia e Kosovës (përmes: nr. të telefonit konfidencial, e-mail adresa, facebook etj.)

“Është kryer obduksioni ku edhe kemi rezultatet preleminare, sidoqoftë jemi në pritje të raportit përfundimtar”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të veprimeve hetimore është identifikuar një veturë e djegur, e tipit Opel Astra ngjyrë hiri, veturë e cila dyshohet të jetë e përfshirë në këtë rast.

“Gjithashtu kemi arritur të gjurmojmë në nivel vendi por edhe ndërkombëtar të dhënat lidhur me qarkullimin si dhe pronarin/poseduesin e kësaj veture. Të gjitha aktivitetet janë koordinuar dhe kryer nën autoritetin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu Policia e Kosovës njofton se paralelisht me veprime hetimore ka ndërmarrë masa në aspekt të shtimit të sigurisë, përfshirë shtimin e prezencës policore në disa lokacione të identifikuara si të ndjeshme, me qëllim të parandalimit të çfarëdo incidenti.

Policia e Kosovës kërkon edhe më tej bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve dhe falënderon të gjithë ata për informacionet e ofruara deri më tani në adresë të Policisë përmes kanaleve tani më të publikuara. /Telegrafi/

Exit mobile version