Të hënën u raportua se një nga diplomatet rusë të shpallur persona non-grata, nga presidentja Vjosa Osmani, ende është duke qëndruar në Kosovë.
Lidhur me këtë ka reaguar Policia e Kosovës, duke thënë se këto informacione janë të pavërteta.
Sipas PK-së bazuar në informacionet zyrtare të evidentuara në sistemin kufitar, të njëjtit me datë 23.10.2021 (në ora 14:46 dhe 14:50), përmes pikës kufitare në Merdare kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës.
Tutje policia thekson se të njëjtit, nga data 23.10.2021, nuk kanë hyrë në Republikën e Kosovës, ndërsa personi i cili është publikuar dhe shfaqur në media përmes fotografive dhe videos, është person tjetër (V.L.) i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovë, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend”, thuhet në fund.
Ndërkaq, më herët ndaj vendimit të Osmanit, kishte reaguar Ambasada Ruse në Beograd, duke thënë se “asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për Rusinë”.
“Ne nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, prandaj nuk e njohim qeverinë e tyre apo strukturat e tjera. Asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore për ne” – thuhej në njoftimin e Ambasadës së Rusisë.
Hapja e zyrës ndërlidhëse ruse në Kosovë ishte bërë në vitin 2005 nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Hapja e saj ishte bërë tre vjet para se Kosova të shpallte pavarësinë, e cila kundërshtohet nga Serbia dhe Rusia./Telegrafi/