Telegrafi

Demantohen mediat serbe, Policia: Dy të persona në Leposaviq u gjobitën për prishje të rendit

Policia e Kosovës ka demantuar dezinformatat e plasuara nga disa media serbe për kinse ndalimin dhe keqtrajtimin e dy të miturve serbë në Leposaviq.

Në reagimin e Policisë së Kosovës, thuhet se policia ka reaguar në një rast të prishjes së rendit dhe qetësisë publike te një kafiteri, ku ndaj dy personave ka shqiptuar gjobë për prishje të rendit publik.

“Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimet tendencioze dhe të pavërteta të publikuara në disa mediume kryesisht serbe, të cilat i referohen zyrës serbe për Kosovë të cilët paraqesin situatë jo reale se kinse Policia e Kosovës nuk i ka trajtuar dhe nuk janë sjellë si duhet ndaj disa të rinjve/fëmijëve serb në komunën e Leposaviqit”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës, transmeton Telegrafi.

Në reagim thuhet se “Policia e Kosovës, njësitë policore të rendit, reagimit të shpejtë në DRP Mitrovicë Veri, gjatë realizimit të detyrave të rregullta policore, kanë reaguar në një rast të prishjes së rendit dhe qetësisë publike te një kafiteri, ku ndaj dy personave ka shqiptuar gjobë për prishje të rendit publik”.

“Vlen të theksohet se Policia e Kosovës udhëhiqet nga parimet më demokratike dhe të gjitha masat dhe veprimet policore i ka ndërmarrë në funksion të ruajtjes së rendit e qetësisë publike  si dhe garantimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim”.

“Andaj, deklarimet e tilla tendencioze, nuk iu shërbejnë qytetarëve e as sigurisë publike,  pasi veprimet policore janë mbështetur në procedurat e parapara ligjore përfshirë atë të ruajtjes së rendit e qetësisë publike. Për informacione zyrtare ftojmë mediat dhe të gjitha palët që ti referohen informacioneve zyrtare të Policisë se Kosovës”, thuhet në reagim. /Telegrafi/