Site icon Telegrafi

Policia deklarohet për aksionin e PSD-së, thotë se u lënduan dy zyrtarë policorë

Dy zyrtarë policorë kanë marrë lëndime të lehta trupore gjatë përleshjes me aktivistët e Partisë Socialdemokratike (PSD), e cila ka ndodhur sot rreth orës 12:15 në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Sipas tij, ky aktivitet ka qenë i paparalajmëruar nga aktivistët e kësaj partie.

Lexo po ashtu Pas përleshjes me anëtarët e PSD, lëndohet një polic

“Sot rreth orës 12:15 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, një grumbull personash kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar. Përkundër faktit që këtyre personave u është bërë e qartë nga policia se  veprimet e tilla janë të palejuara, të njëjtit duke shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policor, me veprimet dhe sjelljet e tyre kanë penguar zyrtarët policor në kryerjen e detyrës zyrtare”, ka thënë Borovci.

Siç tha ai si pasoj e veprimeve të lartcekura dy zyrtar policor kanë pësuar lëndime të lehta përderisa në objektin e Qeverisë janë vendosur grafite.

“Aktualisht policia po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen përderisa po koordinon veprimet me mekanizmat e tjerë për zbatim të ligjit”, ka thënë ndër të tjera Borovci për Telegrafin. /Telegrafi/

Exit mobile version