Telegrafi

Policia bastis një lokacion që dyshohet se është përdorur nga sulmuesit, gjeti municione

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë veprimeve policore në një lokacion banimi i cili është përdorur nga sulmuesit, janë gjetur pajisje logjistike, mjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushatarke si armë dhe municione të kalibrave të ndryshëm.

Në komunikatën e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se deri më tani janë vrarë tre persona nga grupi i armatosur që po qëndron në Zveçan, ndërsa një tjetër është i arrestuar.

Po ashtu, Policia ka njoftuar se janë arrestuar edhe katër persona tjerë të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra sot në orët e para të mëngjesit nga një sulm i armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë e sulmit dy policë të tjerë mbetën të plagosur.

Një grup i personave me uniforma dhe të armatosur janë brenda manastirit të Banjskës.