Policia e Kosovës ka njoftuar se më 3 mars 2021, në orën 04:20 min., në rrugën “Xhavit Bajraktari” në Suharekë, ka ndodhur një rast grabitjeje në një pompë të derivateve, ku sipas deklaratës së viktimës dy persona të dyshuar më maska mbrojtëse nga virusi ‘COVID-19’ dhe me armë në dorë duke e kërcënuar viktimën i kanë kërkuar para.
“Me këtë rast sipas deklaratës së viktimës të dyshuarit kanë arritur t’i marrin viktimës para në vlerë 2500 euro (dy mijë e pesëqind euro). Të dyshuarit, të panjohur për viktimën, ishin larguar në drejtim të panjohur. Policia pas deklaratës së viktimës dhe informatave të mbledhura nga vendi i ngjarjes kishte filluar me një hetim prelimar duke mbledhur dëshmitë relevante nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Sektori i hetimeve në Suharekë duke punuar me profesionalizëm dhe duke krijuar profilin e personave të dyshimtë në bazë të deklaratës së viktimës dhe vëzhgimin e kamerave në zonë, ka arritur që përmes rrugëve operative-hetimore të bëjë identifikimin, e më pas arrestimin e të dyshuarit të dytë të këtij rasti të grabitjes.
“I dyshuari A.K i lindur në vitin 1980, është arrestuar dhe intervistuar nga sektori i hetimeve në prani të avokatit të tij mbrojtës. Me aktvendim të prokurorit të shtetit, i dyshuar ndalohet në ndalim policor për 48 orë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/