Site icon Telegrafi

Policia arreston një person që u paraqit rrejshëm si zyrtar i FSK-së, i gjen helmeta me shkronjën “Z”

Policia e Kosovës njofton se të hënën mbrëma ka arrestuar 30-vjeçarin më inicialet M.M, pasi i njëjti ishte paraqitur rrejshëm si zyrtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, ai është arrestuar nga Njësia e Trafikut Rajonal, gjatë kontrollit të trafikut rrugor në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë në segmenti rrugor në Vushtrri.

Në veturën e të dyshuarit bëhet e ditur se janë gjetur shtatë helmeta të punës, ku pesë prej tyre me mbishkrim të shkronjës (Z).

“Gjatë verifikimit ka rezultuar se i dyshuari ka paraqitur dokument të rremë, si prova materiale nga i dyshuari janë sekuestruar kartela dhe një çantë krahu”, thuhet në njoftimin për media.

“Për veprimet e ndërmarra është informuar prokurori i rastit, i cili ka urdhëruar që rasti ndaj të dyshuarit të iniciohet për vepër penale “Prezantim i rremë si person zyrtarë”  ndërsa pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”.

Ndryshe, shkronja ‘Z’ është simboli i luftës së Rusisë në Ukrainë, që ka nisur më 24 shkurt. Fillimisht, simboli ‘Z’ u pa në tanket që ishin nisur drejt kufirit të Ukrainës, disa ditë para se presidenti rus, Vladimir Putin, të urdhëronte pushtimin e shtetit fqinj./Telegrafi/

Exit mobile version