Site icon Telegrafi

Policia arreston një person në Suharekë, ishte duke u kërkuar nga INTERPOL-i

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Suharekë, shtetas i Shqipërisë, i cili ishte në kërkim nga INTERPOL-i.

Policia e Kosovës bën të ditur se në vazhdën e bashkëpunimit me INTERPOL-in, duke u mbështetur në hetime paraprake, sot më, 21.01.2021, ka zhvilluar një operacion policor në rajonin e Prizrenit me qëllim arrestimin e një personi të kërkuar.

“Personi kërkohej nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë përmes INTERPOL-it.  Policia e Kosovës, konkretisht FAST Kosova-ILECU, sot, në ora 09:30 në Suharekë, ka arrestuar një mashkull: S.L., viti i lindjes 1988, shtetas i Shqipërisë. I njëjti ishte në kërkim nga INTERPOL Tirana për rrëmbim dhe armëmbajtje pa leje”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se i arrestuari është dërguar në Stacionin Policor Prizren, dhe ndaj tij do të vazhdohet procedurat e parapara për rastet e tilla.

Tutje, në njoftim thuhet se “Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, luftimin e dukurive kriminale, por edhe e përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit policor me organizata policore si INTERPOL-in në këtë rast”. /Telegrafi/

Exit mobile version