Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Gjakovë, me datë 19 dhjetor 2019 ka bërë arrestimin e personit të dyshuar L.H viti i lindjes 1989 për veprën penale “Fajde”.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se pas pranimit të informacioneve për fajde, Policia e Kosovës me urdhër të Gjykatës Themelore – Gjakovë ka zbatuar masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në mënyrë që të bëjë grumbullimin e provave materiale që argumentojnë veprën penale për të cilën dyshohej se e ka kryer personi i dyshuar.
“Me urdhëresë të gjykatës, pas zbatimit të masave të fshehta të vëzhgimit fotografik ose me video, personi i dyshuar është zënë në flagrancë duke pranuar një shumë të parave prej 460 euro të fajdes, nga viktima e rastit, transmeton Telegrafi.
Pas këtij veprimi, i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës ku përveç arrestimit, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bastisur shtëpia e të njëjtit, ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një laptop dhe një pasaportë.
Policia bën të ditur se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori, ku me urdhër të tij, të dyshuarit të lartcekur pas intervistimit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë. /Telegrafi/