Pas arrestimit të një të dyshuare për abuzimin me fëmijë në kopshtin “Cambridge Kids”, Prokuroria ka njoftuar për një tjetër edukatore të arrestuar të martën.
Sipas prokurorisë dy të dyshuarave u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Janë arrestuar dy persona të dyshuara dhe pastaj Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgim për dy të dyshuarat”, ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Arrestimi i të dyshuarën së parë, T.G., u bë pas një shpërndarje të një video-incizimi në Facebook, ku shihet teksa edukatorja shfaqë dhunë ndaj një fëmije më shumë se një vjeç.
Ndërkaq po ashtu më vonë doli edhe videoja tjetër në të cilën një tjetër edukatore më zë të lartë kritikon ashpër një tjetër fëmijë të kopshtit “Cambridge Kids”.
Pas kësaj, inspektorati i Arsimit gjatë ditës së sotme ka marrë masa ndaj çerdhes “Cambridge Kids”.
Sipas ministrisë ky institucion ishte duke vepruar pa licencë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë prandaj edhe Inspektorati ka vendosur që të ndërpres veprimtarinë e kësaj çerdheje.
“Për këtë qëllim, në përputhje me kompetencat ligjore, Inspektorati menjëherë ka filluar procedurat për ndaljen e ushtrimit të veprimtarisë së këtij institucioni derisa i njëjti të pajiset me licencë përkatëse në MASHTI”, thuhet në komunikatë./Telegrafi/