Telegrafi

Policia arreston dy persona, dyshohet se shisnin teste të Fakultetit Juridik të UP-së

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka arrestuar dy persona, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë shitur teste që u parashtrohen studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Policia ka bërë të ditur se njëri nga të dyshuarit është arrestuar sot rreth orës 16:35, dhe se ai është zënë në flagrancë, pasi kishte pranuar 100 euro në këmbim të ofrimit të një testi, transmeton Telegrafi.

Hetuesit policorë të Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë (NJRHKEK), po sa kanë pranuar të dhëna, menjëherë kanë filluar hetime nën dyshimin se persona të dyshuar po shesin ,,teste” që u parashtrohen studentëve të Fakultetit Juridik të UP-së.

Më 28.06.2019 policia ka siguruar Urdhëresën nga Gjykata Themelore Prishtinë për masa të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit ‘simulimi i një vepre të korrupsionit’, pasi dyshohej se persona të dyshuar janë duke konsumuar veprën penale ‘mashtrim’ , nga neni 323 i KPRK-së.

Sot, datë 2 korrik 2019, në realizim të masave të fshehta të hetimit dhe në zbatim të planit hetimor policor, rreth orës 16:35, policia në flagrancë e ka arrestuar një të dyshuar i cili posa kishte pranuar 100 euro në këmbim të ofrimit të ,,testit”, tek i njëjti janë gjetur parat që janë përdorur si stimulim i veprës penale, po ashtu policia ka arrestuar edhe personin e dytë pasi dyshohet se që të dy vepronin së bashku.

Policia, nën dyshimin e përfshirjes në veprimtari penale, ka arrestuar: G.S. viti i lindjes 1996 m.k.sh, E.B. viti i lindjes 1992 m.k.sh”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se me aktvendim të prokurorit, dy të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.