Telegrafi

Arrestimi i dhunshëm në Skenderaj për shkak të mosmbajtjes së maskës, policia jep detajet e ngjarjes

Një konfrontim mes disa personave dhe policisë ka ndodhur të shtunën mbrëma në qytetin e Skenderajt.

Në një video që lexuesit i kanë dërguar Telegrafit, shihet përleshja mes civilëve dhe policisë.

Rastin në fjalë e ka sqaruar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Ai tha se dyshimet e para janë që njëri nga qytetarët nuk ka respektuar ligjin për vendosjen e maskës dhe në momentin kur zyrtarët kanë dashur të shkruajnë dënimin ndërsa dy persona të tjerë i kanë penguar ata.

“Tre persona në cilësi të të dyshuarve janë arrestuar, ku aktualisht janë duke u intervistuar në stacionin policor në Skenderaj! Nga të dhënat e para bëhet e ditur se njëri nga të arrestuarit kishte refuzuar të legjitimohet pasi i njëjti nuk e kishte maskën e vendosur, ndërsa dy të dyshuarit tjerë po intervistohen për pengim të zyrtarëve policor”, tha Zahiti.

Ndërkaq sipas videos, një person gjendet i shtrirë, duke u konfrontuar me policinë ndërkaq, po ashtu një tjetër person i prangosur tenton të godas me shqelma personin e shtrirë. /Telegrafi/