Telegrafi

Policia arreston 19-vjeçarin në Mitrovicë, dyshohet të ketë grabitur 2 mijë euro në bankë

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka arrestuar një person në Mitrovicë të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘grabitje’, që kishte ndodhur me 14 maj në Vushtrri.

 “Në rrugën “Mbretëresha Teutë”, derisa ishte duke patrulluar Njësia e Hetimeve Rajonale, ka vërejtur se i kërkuari për veprën penale ‘grabitje’, Ç. B. 19 vjeçar, gjendet në veturën e cila ishte në lëvizje, ku Policia ka arritur ta përcjellë veturën në fjalë duke bërë arrestimin e këtij personi të dyshuar.

Personi i dyshuar tashmë i arrestuar dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘grabitje’, të raportuar më 14 maj në Vushtrri”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia bën të ditur se nga hetimet e deritanishme, bazuar në deklaratën e viktimës, ai dyshohet të ketë grabitur dy mijë euro në një bankë.

Me urdhër të prokurorit të çështjes, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor./Telegrafi/