Telegrafi

Policia arreston 16 persona për krim të organizuar dhe organizim të skemave piramidale

Policia e Kosovës ka arrestuar 16 persona të dyshuar për veprat penale “organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të jashtëligjshëm” dhe veprën penale “krim të organizuar”

Policia e Kosovës, konkretisht Departamenti i Hetimeve më, 1 dhjetor 2016 ka ndërmarrë dy operacione policore të shtrira në tërë vendin.

Në operacion e parë pos Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO) kanë qenë të përfshirë dhe njësi tjera të specializuara policore, zyrtarë nga Doganat e Kosovës dhe ATK-ja.

Sektori i Hetimeve të Krimit të Organizuar në kuadër të DHKO-së, pas hetimeve të zhvilluara për ushtrim të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, më 1 dhjetor 2016, bazuar në planin operativ  “BLIC”, me urdhëresë të gjykatës kompetente ka kontrolluar lokacione të ndryshme në rajonet: Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Prizren dhe Mitrovicë.

Me këtë rast në cilësi të personave të dyshuar janë arrestuar 6 persona si dhe janë kontrolluar 77 lokacione të ndryshme.

Personat e dyshuar tanimë të ndaluar janë: R. L 1962; D. H 1986; B. I 1985; R. I 1960;  S. H.                 1959; F. I 1992.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar si prova materiale: 3 ruleta, 2 tavolina pokeri, 69 aparate të lojërave të fatit, 2 lojëra Keno, 2 armë, 546 fishekë, 17 PC, 3 DVR, 9 telefona celularë, 41 260 euro,  si dhe dokumentacion relevant për rastin.

Kurse në operacionin tjetër të udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), Sektori për hetimin e krimeve ekonomike, pas një pune të gjatë hetimore po ashtu më datë 01.12.2016, të asistuar nga njësitet policore nga  Gjilani, kanë zbatuar Urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, për kontrollimin e një lokali të lojërave të fatit në rrugën Gjilan-Kamenicë afër fshatit Shillovë, me dyshimin e bazuar se në këtë lokacion është duke u kryer vepra penale “Organizim e Skemave Piramidale dhe Bixhozit të jashtëligjshëm”.

Gjatë kontrollit të lokalit, përfaqësuesit të tij, nuk kanë prezantuar dëshmi se pika në fjalë ishte e licencuar.

Në lokal është hasur një pjesë e ndarë ku zhvillohej veprimtaria e jashtëligjshme. Në ndërkohë janë ftuar edhe zyrtarë të Doganës së Kosovës dhe ATK-se për verifikim të gjendjes.

Personat e dyshuar tanimë të ndaluar janë: B.B 1983; A.SH 1986; R.S 1986; A.G 1983; G.M 1991;  Xh. M                    1980; I.G 1969; V.I 1984; A.A 1986; L.H 1978.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar si prova materiale: fletore me shënime për hyrje – daljet reale të parasë në këtë pike, 10030 Euro, 200 Franga të Zvicrës, 100 Dollarë Amerikan dhe të ashtuquajturat Chips dhe Zaret.

Të gjithë personat e dyshuar, gjithsej 16 persona, me vendim të prokuroreve janë dërguar në mbajtje për vazhdim të procedurës të mëtejme. /Telegrafi/