Mbështetja për një bojkotim të turneut botëror të Beyonce nga ana e punonjësve të zbatimit të ligjit, ka nisur të rritet, edhe pse kritikët e hedhin poshtë si të panevojshëm një veprim të tillë.
Apeli për bojkotimin e lansimit të turit në muajin prill, në “Marlins Park”, e lëshoi sindikata e policëve të Miamit.
Por, lufta kundër yllit të muzikës nisi thuajse menjëherë pasi këngëtarja e famshme prezantoi në “Super Bowl” videon muzikore polemizuese “Formation”.
Tema “jetët me ngjyrë vlejnë” krijoi ndjeshmëri, por më tepër reagim pati ndaj asaj pjese të videos, ku një djalë i vogël afroamerikan, i veshur me një bluzë me kapuç, kërcen përpara një rreshti policësh me mburoja e shkopinj gome, përpara se në mur të shfaqen në formë grafiti fjalët: “Mos shtini më mbi ne!”.
“Të tallësh oficerët e policisë në ‘Super Bowl’ e ta shohë e gjithë bota është shumë e gabuar. Unë ju garantoj se, po të ketë Beyonce nevojë për ndihmë ndonjëherë, policia do t’i përgjigjet”, ka thënë Ed Mullins, president i shoqatës së rreshterëve në New York.
“Por mua më shqetëson fakti që, edhe pse është në pozitat të bëjë gjëra pozitive, ajo hidhet kundër punonjësve të zbatimit të ligjit. Beyonce e bëri deklaratën e saj,ndërsa ne po bëjmë tonën tashmë”, ka shtuar ai. /TCH/Telegrafi/