Dy policët amerikanë dhe kalimtarët e rastit kanë shpëtuar një fëmijë 8-muajsh që kishte ngecur nën një veturë, që kishte “fluturuar” në drejtim të saj dhe të ëmës.
Policia e Yonkers në New York, ka njoftuar se shoferi i veturës që kishte “fluturuar” mbi nënën dhe fëmijën, kishte goditur edhe një shtyllë dhe veturën e parkuar, transmeton Telegrafi.
E ëma 36-vjeçe që ishte goditur nga vetura, në atë moment kishte qenë duke kaluar rrugën me foshnjën e saj.
Vetura më pas është përplasur në një lokal, duke përfunduar foshnja nën mjetin motorik, ka njoftuar policia e këtij qyteti amerikan.
Dy policët që në ato momente ishin në afërsi pasi kishin dalë në pauzë, kishin vrapuar në vendin e ngjarjes duke gjetur të ëmën në lokalin e shkatërruar.
Ata menjëherë kërkuan ndihmën e kalimtarëve të rastit, për ta ngritur veturën dhe ta nxjerrin foshnjën që kishte ngecur nën të.
Si pasojë e kësaj goditje, e ëma e foshnjës ka thyer këmbën, derisa foshnja ka pësuar lëndime në kokë, shpinë dhe këmbë.
Që të dyja janë dërguar në spitalin më të afërt, nga ku është bërë e ditur se pas ndërhyrjes gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar.
E ndaj shoferit që shkaktoi aksidentin është ngritur padi. Madje dëshmitarët okularë pretendojnë se ai ishte i dehur. /Telegrafi/