Site icon Telegrafi

Policia e Kosovës e pranishme në Tiranë – aty ku zhvillohet finalja e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feyenoordit

Policia e Kosovës do të jetë pjesë e organizimit për rend dhe siguri në Tiranë, aty ku do të luhet finalja e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feyenoordit.

Ndeshja që fillon në ora 21:00 në stadiumin “Air Albania”, do të jetë e mbikëqyrur në masa të rrepta nga Policia Shqiptare, por që aty do të jenë edhe disa zyrtarë policorë nga Kosova.

Në një përgjigje për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se do të jenë disa pjesëtarë në Tiranë.

Lexo po ashtu Parashikim, analizë dhe formacionet e mundshme: Roma - Feyenoord

“Referuar bashkëpunimit të ndërsjellët në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë, si dhe referuar ndeshjes sportive e cila pritet të mbahet sot, Policia e Kosovës do të dërgoj disa zyrtarë policorë në Tiranë”, ka thënë ai.

Mbrëmë, në kryeqytetin e Shqipërisë u shënuan disa raste dhune mes tifozëve të të dyja ekipeve, por që kishte edhe qytetarë të rëndomtë të lënduar.

Lëndime pësuan edhe disa policë shqiptarë, ndërsa janë shoqëruar dhjetëra italianë e holandezë në stacionin policor. /Telegrafi/

Exit mobile version