Site icon Telegrafi

Polakët kanë frikë nga një fitore e mundshme e rusëve në Ukrainë: Nëse kjo ndodh, do të pasojnë luftëra të tjera

Lufta në Ukrainë u ka dhënë një rëndësi të re shteteve baltike dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore që janë gjeografikisht më afër Rusisë – veçanërisht Polonisë. Varshava është e vendosur të mësojë nga historia e saj dhe të ndihmojë ukrainasit të fitojnë luftën.

Nëse mbështetja e Polonisë për Ukrainën është në dukje e pakufizuar, ajo vjen nga një besim i thellë se nëse Rusia nuk mposhtet, vetë polakët do të bëhen synim i radhës.

Shqetësimet e sigurisë e kanë shtyrë Poloninë të modernizojë ushtrinë dhe të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në katër për qind të GJDP-së, përqindja më e lartë e çdo vendi të NATO-s, tha kryeministri Mateusz Morawiecki.

Lexo po ashtu Ku dështoi Rusia në luftën e Ukrainës?

“Nëse nuk e mbështesim Ukrainën tani, do të ketë objektiva të reja për Vladimir Putinin. Një politikan rus sugjeroi kohët e fundit që Rusia duhet të ‘denazifikojë’ gjashtë vende të tjera pas Ukrainës, përfshirë Poloninë. Atë që po bëjmë tani, po e bëjmë jashtë solidaritet dhe mbështetje për viktimat”, tha Paweł Jablonski, zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Polonisë.

Ai thotë se e gjithë shoqëria polake beson se nëse Rusia ka sukses në Ukrainë, do të ketë një luftë të re, dhe pas kësaj një tjetër…

“Ka një ndjenjë se siguria jonë bazë dhe pavarësia jonë do të jenë në rrezik nëse fiton Rusia”, thotë gazetari Lukasz Jankowski.

Një frikë tjetër është se trupat ruse do të kombinojnë territoret e kapura nga Ukraina dhe “të krijojnë një qeveri si ajo në Minsk”.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, një traktat ndërkombëtar midis Rusisë dhe Bjellorusisë i nënshkruar në vitin 1997 nga presidenti rus, Boris Yeltsin dhe homologu bjellorus, Alexander Lukashenko krijoi bazën për një bashkim midis dy ish-republikave sovjetike. Të dy vendet ruajtën pavarësinë e tyre, por Lukashenko gjithmonë mbështeti iniciativat ushtarake ruse pa marrë pjesë drejtpërdrejt në to.

Nëse lufta në Ukrainë zvarritet, disa në Evropën Lindore kanë frikë se Rusia mund të synojë përfundimisht shtetet baltike, shkruan france24.

Lexo po ashtu Çfarë do sillte rrënimi i Rusisë?

“Kjo luftë nuk është për territorin e Ukrainës, por për pavarësinë e Evropës Lindore. Prandaj ne duhet të mbështesim Ukrainën dhe nuk duhet të ketë kufizime në këtë rrafsh”, tha Jankowski.

Një mundësi për të zhvilluar rolin e Evropës Qendrore do të ishte përmes marrëveshjes së ardhshme polake-ukrainase, e cila mund të nënshkruhet në javët ose muajt e ardhshëm. Duke e krahasuar atë me marrëveshjen e Elysee-s midis Francës dhe Gjermanisë, Jablonski tha se do të ishte një marrëveshje e gjerë sigurie, kulturore dhe ekonomike.

Traktati me siguri nuk do të ishte një alternativë për NATO-n, deklaroi ai dhe shtoi, “Ne duam të forcojmë NATO-n dhe të jemi një forcë shtytëse në të”.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme materiale. /Telegrafi/

Exit mobile version