Paul Pogba është duke e kërkuar me ngulm transferimin te Real Madridi në këtë verë, por për të ndodhur një gjë e tillë, duhet ta dorëzojë një kërkesë te Manchester Unitedi për të mos e bllokuar kalimin.
Fituesi i Kupës së Botës u ka bërë me dije Djajve të Kuq se dëshiron të luajë nën urdhrat e Zinedine Zidane. Trajneri francez besohet t’i ketë thënë mesfushorit se ai duhet t’i bëjë presion skuadrës angleze që ta lejojnë transferimin e tij te Los Blancos.
Pogba nuk beson në projektin e Ole Gunnar Solskajer, duke kërkuar largimin nga skuadra në javët e fundit të sezonit 2018/2019, mirëpo Ed Woodward refuzon ta lejojë largimin e tij për një shumë të vogël.
Presidenti i Manchester Unitedit është i gatshëm që ta lejojë largimin e mesfushorit francez, vetëm nëse Real Madridi do të paguante 130 milionë euro.
Solskjaer kishte bërë me dije se është i gatshëm që të ndërtonte skuadrën rreth Pogbas, por ky i fundit është i vendosur që në verë ta kompletojë transferimin në Santiago Bernabeu. /Telegrafi/