E dimë që situata në Chelsea nuk është e mirë për më shumë se një vit, por përshkrimi më i mirë i situatës aktuale në klub është situata nga konferenca për shtyp e mbajtur mbrëmë pas ndeshjes.
Chelsea fitoi të premten mbrëma ndaj Lutonit me rezultat 3:0 dhe është vetëm triumfi i gjashtë i Bluve në 32 ndeshjet e fundit në Ligën Premier.
Lojtarët shkojnë e vijnë si në kasetë dhe gjithçka ndryshoi me largimin e Roman Abramovich nga pozicioni i pronarit të klubit, i cili u pasua nga amerikani Todd Boehly.
Gjiganti londinez kishte një numër të madh lojtarësh, ndaj iu desh t’i “hiqte qafe” gjatë verës më shumë se 10 sosh.
Megjithatë, Blutë vazhduan me blerje dhe sa ka ndryshuar situata e tregon më së miri momenti nga konferenca për shtyp që ngatërroi trajnerin Mauricio Pochettino.
Trajneri argjentinas u pyet për situatën e mbrojtësit Malang Sarr, i cili nuk luajti mbrëmë dhe as në ndeshjet e mëparshme dhe Pochettino i hutuar as nuk e dinte se kush ishte ky lojtar.
Kjo me shumë gjasa është rezultat i numrit të madh të lojtarëve të Chelseat që kalojnë nëpër klub dhe që zakonisht janë në huazim te klubet tjera.
Madje në një moment në media ka pasur informacione, të cilat nuk janë konfirmuar, se lojtarët duhet të ndërrohen në korridoret e qendrës stërvitore në Cobham për shkak të numrit të tepërt të lojtarëve. Tashmë duket se Pochettino ka problem edhe me emrin e lojtarëve.
I pyetur nga një gazetar se pse Malang Sarr nuk ishte në skuadrën kundër Lutonit, Pochettino u përgjigj “Kush?”.
Mauricio Pochettino doesn’t know who Malang Sarr is ?
— Gunners (@Gunnersc0m) August 26, 2023
Duke vepruar plotësisht i hutuar, argjentinasi më pas “mbrojti” veten në mënyrë adekuate dhe ndryshoi temën.
“O Zot. Nuk di çfarë të të them se më ke befasuar. Është sikur më godite me grusht në fytyrë sepse tashmë po flisnim për ndeshjen me Luton”, tha Pochettino.
Meqë ra fjala, Sarr erdhi nga Nice në vitin 2020 dhe që nga ai moment kaloi dy sezone në huazim. /Telegrafi/