Trajneri i Paris Saint-Germain, Mauricio Pochettino, përdori Juventusin dhe Manchester Cityn si shembuj të klubeve që nuk mund të fitojnë Ligën e Kampionëve.
Argjentinasi është nën kritika të mëdha pasi humbi epërsinë prej dy golave për t’u eliminuar në raundin e 16-të nga Real Madridi i Carlo Ancelottit në garën elitare të klubeve evropiane.
Pavarësisht se ka shpenzuar shuma të mëdha parash dhe ka sjellë yllin e madh Lionel Messin, PSG ende nuk po i afrohet trofeut më të madh në futbollin e klubeve.
Megjithatë, duke u mbrojtur nga ato kritika, Pochettino vuri në dukje klubet e tjera që mendon se janë në një pozicion të ngjashëm me parisienët.
“Deri më tani, PSG ka arritur në gjysmëfinale dhe finale të Ligës së Kampionëve, kështu që është pjesë e një procesi që kërkon kohë”.
“Ka edhe klube si Juventusi dhe Manchester City që duan të fitojnë Ligën e Kampionëve, por nuk mund të arrijnë atë për të cilën po punojnë”, ka thënë Pochettino në një konferencë për shtyp.
Juventusi e ka fituar Kupën Evropiane në 1985 dhe Ligën e Kampionëve në 1996, ndërsa arriti dhe humbi edhe në finale në nëntë raste.
Sa i përket Manchester Cityt, ata kurrë nuk kanë arritur të ngrenë trofeun e Ligës së Kampionëve, duke luftuar edhe gjatë epokës dominuese të Ligës Premier, nën urdhrat e trajnerit Pep Guardiola.
Ata u afruan sezonin e kaluar, duke arritur në finale, por edhe pse dominuan totalisht, ata humben kundër Chelseat. /Telegrafi/