Mauricio Pochettino dëshiron të largohet nga Tottenham Hotspuri pas Ligës së Kampionëve, në mënyrë që ta marrë drejtimin e Juventusit qysh në muajin qershor.
Sipas kushëririt të trajnerit argjentinas, Daniele Pochettino, dëshira e trajnerit të Spurs është që të transferohet në verë te Zonja e Vjetër, pas largimit të Massimiliano Allagerit.
Janë duke u bërë spekulime të mëdha se kush do ta marrë drejtimin e skuadrës italiane në verë, mirëpo janë vetëm tre kandidatë në garë të ngushtë, argjentinasi, Antonio Conte dhe Jose Mourinho.
“Mauricio te Juventus është një ëndërr që mund të realizohet në verë. E gjithë familja e dëshiron transferimin e tij te Juve”, ka deklaruar Daniele Pochettino.
“Ai tashmë është i njohur në Itali, pas suksesit që ka në Angli dhe tani në këtë sezon me Tottenhamin në Ligën e Kampionëve”.
“E kam takuar para pak muajsh Mauricion. Kemi biseduar edhe për ushqimin në Itali (qesh). Dëshira e tij është që të transferohet te Juventusi, askush nuk do të refuzonte atë mundësi”, ka shtuar më tej kushëriri i trajnerit argjentinas. /Telegrafi/